TIRANË, 17 mars /ATSH/ “E duam Vjosën dhe do ta mbrojmë”, u shpreh sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili mbështeti nismën e aktivistëve mjedisorë për përgatitjen e një mesazhi sensibilizues ndërkombëtar për mbrojtjen e Vjosës.
“Me shumë kënaqësi mbështeta sot nismën e mrekullueshme të aktivistëve mjedisorë për përgatitjen e një mesazhi sensibilizues ndërkombëtar për mbrojtjen e Vjosës nga çdo projekt shkatërrimtar dhe krijimin e Parkut Kombëtar përgjatë gjithë lumit duke përfshirë edhe degët e tij”, tha Meta në një reagim.
“I përgëzova për mesazhin e mençur të vendosur në sheshin kryesor të Tiranës “Nënë Tereza”, që shumë shpejt do të shfaqet edhe në shumë kryeqytete të Europës”, u shpreh Meta.
“Mirënjohje të gjithë aktivistëve, akademikëve e shkencëtarëve vendas dhe të huaj, 36 organizatave mjedisore, autoriteteve të BE, si dhe aktorit të jashtëzakonshëm Leonardo DiCaprio, për ndërkombëtarizimin e kësaj kauze”, tha Meta.
“Qeveria ende në detyrë të dëgjojë zërin me shumë integritet të tyre dhe të komunitetit për t’u tërhequr urgjentisht nga çdo projekt arbitrar, që shkatërron këtë pasuri e trashëgimi natyrore kombëtare dhe europiane. Ne, gjenerata e sotme, kemi detyrimin për të mbrojtur burimet dhe pasuritë tona natyrore, për të gjithë brezat e ardhshëm. E duam Vjosën dhe do ta mbrojmë”, theksoi Meta.
/r.e/













