TIRANË, 17 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fier ku prezantoi skuadrën e 25 prillit të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste.
Kryeministri theksoi se, “ajo që është më e rëndësishmja është që sot ne flasim për fakte. Si ato që sapo renditi Erioni mund të rendisim shumë të tjera. Duke vazhduar me zero taksë për biznesin e vogël dhe zero tvsh për të gjithë ata që vetëpunësohen dhe punësojnë të tjerë dhe kanë një xhiro deri në 100 mijë dollarë në vit. Diçka e paimagjinueshme edhe për ne vetë kur morëm drejtimin e vendit dhe premtuam vetëm përgjysmimin e taksës për biznesin e vogël, gjë që e bëmë menjëherë”.
“Sot taksa për biznesin e vogël është zero. TVSH-ja është zero. Dhe ky është akti më i madh dhe më domethënës i solidaritet me ata njerëz që në kushtet e pandemisë i mbështetëm sa mundëm. Por janë ata që kanë më shumë sforco për të bërë”, tha Rama.
Dhe shtoi kreu i qeverisë, “pavarësisht se ne e hodhëm këtë ide në tavolinë, pikërisht në atë moment dhe sot jemi absolutisht krenarë që këtë masë të vendosur, PS e ka vendosur dhe është e angazhuar ta mbajë deri në 2029. Pra nuk është thjesht për të lehtësuar për një periudhë kaq të vështirë sa pandemia. Po është për të nxitur fuqimisht vetëpunësimin dhe punësimin që krijon biznesi i vogël duke, faktikisht, vendosur një bazë shumë të mirë në funksion të të gjithë atyre që nuk e presin çdo gjë nga shteti dhe nuk presin që shteti të shkojë në shtëpi t’i zgjojë nga gjumi edhe t’i thotë hajde se ta gjeta punën”.
/r.e/























