Integrimi në BE/ MFE me 13 kapituj negociues

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Në pritje të mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, që shënon hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, Shqipëria po bën përgatitjet e nevojshme për t’u paraprirë kërkesave të palës evropiane.

Anëtarësimi në BE është proces kompleks që nënkupton plotësimin e detyrimeve dhe kushteve me impakt në grupe interesi e në shoqëri. Pikërisht për këtë arsye është me rëndësi që qeveria dhe aktorët joshtetërorë të bashkohen në partneritet. Kjo u lejon grupeve të interesit të kenë zë në procesin e integrimit e të angazhohen përmes ekspertizës në fushat me interes për to, ndërsa qeveria merr vendime të informuara dhe në interesin më të mirë të vendit.

Një instrument i rëndësishëm për krijimin e këtij partneriteti është Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian. PPIE është pjesë e strukturave negociuese. Ajo ka për qëllim të bëjë bashkë grupet e interesit për të dialoguar në formë aktive mbi procesin e anëtarësimit, dokumente strategjikë, harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së, etj. Platforma mundëson tryeza konsultimi për secilin kapitull të BE-së që negociohet. Legjislacioni dhe politikat e BE-së ndahen në 35 kapituj, për të cilët qeveria dhe institucionet kanë përgjegjësinë e përgatitjes së negociatave.

Qeveria Gjermane përmes GIZ dhe projektit SANECA (“Mbështetje për Negociatat e Anëtarësimit në Kapitujt Ekonomik të Acquis”) po mbështet Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për ngritjen e Platformës për kapitujt 1, 3, 20 dhe 28.

MFE është përgjegjëse për 13 kapituj ç’ka e bën atë institucionin me numrin më të madh të kapitujve për të negociuar.

Ministria ka shpallur sërish thirrjen për aplikime drejtuar aktorëve joshtetërorë dhe shoqërisë civile për t’u bërë pjesë e tryezave të Platformës. Së bashku me SANECA-n, MFE mbajti  4 sesione informuese mbi natyrën dhe rolin e Platformës dhe mënyrat e angazhimit në të.

Mbi 100 përfaqësues të organizatave ombrellë nga komuniteti i biznesit, të 4 urdhrave profesionalë dhe 10 universiteteve, si dhe përfaqësues të zyrave të mbrojtjes së konsumatorit dhe zyrave të integrimit në rreth 20 bashki morën pjesë në sesionet informuese.

“Ky proces bashkëpunimi është i domosdoshëm për një përfshirje reale të grupeve të interesit. Platforma do të strukturojë më mirë këtë angazhim”, tha zëvendësministri i Ekonomisë, Besart Kadia.

Zëvendësministri si negociator për kapitujt ekonomikë, i siguroi përfaqësuesit e grupeve në fokus për kushtimin e Ministrisë për të shtyrë përpara partneritetin.

“Duhet të lëvizim sa më shpejt dhe të bashkëpunojmë për të ngritur këtë instrument. Çështja ka qenë dhe mbetet si të shkohet direkt te biznesi dhe të përcillen problematikat përkatëse”, tha Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.

“Procesi i integrimit është sa teknik aq edhe politik. Është e rëndësishme që kjo hapësirë të materializohet në pjesëmarrje reale të shoqërisë civile. Kjo mundësi duhet shfrytëzuar…Do jemi në mbështetje të procesit”, tha Juliana Hoxha nga drejtore e Partners Albania for Development.

“Pjesëmarrja e aktorëve të interesit në tryezat e kapitujve minimalisht siguron informimin e tyre për ç’ka pritet të ndodhë, në mënyrë që të marrin kohën e duhur për t’u përshtatur me reformat”, tha Blerina Raça drejtuese e SANECA.

Ngritja e Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian bazohet në Urdhrin nr. 113/2019 të Kryeministrit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpallur thirrjen për aplikim për 13 kapitujt që drejton në Buletinin nr. 7 të Qendrës së Botimeve Zyrtare.

Për t’u bërë pjesë e tryezave të kapitujve të gjithë aktorët joshtetërorë mund të aplikojnë qoftë si organizatë, qoftë si individë. Dokumentet e nevojshme për aplikim janë një letër interesi dhe një jetëshkrim (CV) e organizatës apo individit. Është me rëndësi që letra e interesit të shprehë qartë kapitullin për të cilin aplikohet, fushën e ekspertizës dhe si organizata apo individi mund të kontribuojë duke qenë pjesë e tryezës. Për çdo kapitull duhet një aplikim i veçantë.

Ministria e Financave ka vendosur pika kontakti ku duhet dërguar aplikimi. Aplikimet duhet të dorëzohen deri në datë 15 mars.

Më pas, Ministria e Financave ngre grupin e punës që do të përzgjedhë nga aplikimet anëtarët e tryezave. Pjesëmarrja në tryeza është tërësisht vullnetare, por është një mundësi shumë e mirë për të gjithë aktorët e shoqërisë që të kenë zërin e tyre dhe të japin kontribut në procesin e integrimit europian.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.