Meta: Prerje dore pa “anestezi” për të gjithë ata që prekin votën

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Presidenti Ilir Meta u shpreh sot i bindur se, 25 prilli do të jetë një festë e madhe e demokracisë.

“Kërkoj nga çdo qytetar shqiptar të tregojë respekt për veten dhe të besojë që fuqia e tij në demokraci është vota”, tha Meta në një intervistë televizive.

“Jam i bindur se 25 prilli do të jetë një festë e madhe e demokracisë dhe besoj shumë se askush nuk do të dëshirojë të bëhet kurban i asaj feste”, tha Meta.

Meta u shpreh se, “luftoj pikërisht për të ndaluar shpopullimin e Shqipërisë, për t’i dhënë fund një eksperimenti që e çoi Shqipërinë vetëm në pikiatë.
Në pikiatë të standardeve të Kushtetutës dhe të lirive civile dhe atyre ekonomike”.

“Ka një datë, një shpresë, një dritë, ka një festë ‘restart’ i shtetit të së drejtës, demonstrimi i demokracisë në këto 100 vite që do të vijnë”, theksoi Meta.

Meta nënvizoi se, “shqiptarët do shkojnë në mënyrë masive në 25 prill të votojnë”.

“Presidenti do të marrë të gjitha masat, që të votojnë në mënyrë të lirë. Nuk mund të bëhet më shaka më fatin e Shqipërisë. Do ketë prerje dore pa ‘anestezi’ për të gjithë ata, që prekin votën”, shtoi Meta.

“Presidenti do mbrojë Kushtetutën, e cila mbron votën e lirë dhe të ndershme. Presidenti ka 100 mekanizma, për të mbrojtur demokracinë dhe do e mbrojë atë me popullin. Presidenti do ta orientojë popullin drejt lirisë së tij”, tha Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.