TIRANË, 9 mars /ATSH/ Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili reagoi sot pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për listat e LSI.
Vasili u shpreh se Rama, “guxoi të flasë sot për listën e LSI-së, listën e njerëzve të lirë, të ndershëm, kurajozë e të palëkundur”.
“Lista e LSI, lista e të rinjve dhe të rejave, e burrave dhe grave që e duan Shqipërinë”, tha Vasili.
“Është lista e burrave dhe grave që luftojnë për barazinë përpara ligjit. Që luftojnë për mbrojtjen e pronës publike. Që luftojnë për mbrojtjen e integritetit, kombëtar e territorial të vendit. Për të mos shitur asnjë centimetër tokë, det të Shqipërisë sonë. Lista e atyre që e kanë të shenjtë Kosovën dhe interesin e saj”, u shpreh ai.
“25 prilli është dita e gjykimit të madh. Është dita e humbjes katastrofike dhe të paevitueshme e të pandalshme të Edi Ramës”, theksoi Vasili. /j.p/r.e/





















