Tabaku, takim me gra të moshuara: PD, program për rritjen e pensioneve

TIRANË, 8 mars /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u takua me një grup nënash pensioniste të cilave u dhuroi lule në këtë 8 Mars.

Gjatë takimit, Tabaku teksa vlerësoi sakrificën e zonjave përgjatë gjithë jetës së tyre, theksoi se Partia Demokratike ka hartuar programin i cili do të çojë dinjitetin e tyre në vend, përmes rritjes reale të pensioneve.

Teksa dëgjoi shqetësimet me të cilat po përballen zonjat në pension në këtë kohë pandemie, Tabaku shpjegoi se sistemi shëndetësor do të vendoset në qendër të vëmendjes së qeverisë së Partisë Demokratike, e drejtuar nga Lulzim Basha, në shërbim të shqiptarëve.

“Do të jetë një qeveri normale që do të punojë për vendin dhe qytetarët. Nuk ia arrijmë dot të gjitha, duhet të jemi realë, por ato që marrim përsipër t’i bëjmë duhet patjetër t’i ofrojmë. Pandemia na tregoi se shëndeti duhet të jetë i pari. Duhet të investojmë tek shëndetësia dhe për moshën e tretë duhet të ndryshojë sistemi shëndetësor”, tha Tabaku.

Po ashtu, Tabaku theksoi se Shqipëria ka nevojë për investime në arsim, në shëndetësi dhe me paga të larta.

“Ka njerëz që thonë se s’ka për t’u zgjidhur ndonjëherë, sepse ka hyrë e keqja shumë keq. Ju jeni shumica, ata janë pakica, dhe nëse japim shembuj të mirë ne mund ta zgjidhim”, – tha Tabaku. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.