Banksy ofron artin e tij në ndihmë të shërbimit shëndetësor britanik

LONDËR, 8 mars /ATSH-DPA/ – Banksy, artisti misterioz i grafiteve, ka vendosur të nxjerrë në ankand realizimin e tij të fëmijës që luan me një figurinë lodër të një infermiereje, në ndihmë të shërbimit shëndetësor kombëtar të Britanisë së Madhe.

Vepra artistike, e quajtur “Game Changer”, u var në spitalin Southampton, Angli, gjatë valës së parë të pandemisë në BM, vitin e kaluar.

Në imazhin e pikturuar me dorë, një djalë shihet duke luajtur me një kukull infermiere të veshur me maskë dhe pelerinë, ndërsa kukullat e Batman dhe Spiderman janë në një kosh mbeturinash aty afër.

“Piktura ofron një imazh shprese dhe përfaqëson një homazh personal për ata që vazhdojnë të kthejnë rrjedhën e pandemisë”, tha shtëpia e ankandeve “Christie’s” për agjencinë britanike të lajmeve PA Media.

“Game Changer” i Banksy-t ishte një fener drite për personelin dhe pacientët në Spitalin e Përgjithshëm të Southampton dhe ishte dëshira e artistit që më pas ta nxirrte në ankand, me të ardhurat në përfitim të NHS-së”, shtoi Katharine Arnold nga “Christie’s”.

Pritet që piktura të mbledhë më shumë se tre milionë stërlina (4,15 milionë dollarë) për NHS.

Një kopje e pikturës do t’i jepet spitalit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.