Propozimi i Bashës/ Pulla te dera e biznesit, spektakël i gjumësisë

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Në lidhje me deklaratën e liderit të opozitës se do vihet një pullë te dera e bizneseve, Rama tha se, “pulla te dera që do ndalojnë inspektorët se do shohin pullën atje është spektakël, spektakël i gjumësisë dhe i pagjumësisë”.

“Në atë kohë ishte që do të vihet pulla të dera dhe nuk do të hynin inspektorët dhe çmimin e bukës do e vendoste kryetari i bashkisë. Këto të dyja ishin premtimet. Dhe realisht është fantastike të shohësh që premtohen ose gjërat që janë premtuar më parë, njësoj, vetëm ndryshon kursi i këmbimit. Saliu e kishte me dollarë, ky e ka me euro, ose premtohen gjëra që janë bërë. Premtohet TVSH 6 % për turizmin që ka disa vite që është bërë. Premtohet taksa e sheshtë si përpara, kur taksa është zero. Premtohet energji e rinovueshme kur energjia jonë është 100 % e rinovueshme dhe përmendet hidro, nuk përmendet fare diellorja. Flitet për rritje 15 % të turizmit, kur turizmi u rrit 20 % në 2019”, tha Rama.

“Ndërkohë ne do t’i heqim inspektorët fare, se ne flasim për një botë tjetër, ne flasim për fiskalizim të të gjithë sistemit, flasim për tru elektronik të shërbimit të agjencive dhe të të ardhurave, flasim për transaksione në kohë reale përmes kompjuterit, ky flet për pullë te dera, është habi e madhe”, shprehet Rama.

“Nuk i vë faj, me zinxhirin që i kanë vënë në qafë dje, ia qaj hallin”, përfundoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.