Ballina Flash

“Google” heq pezullimin e reklamave politike

NJU JORK, 22 shkurt /ATSH-AFP/ – Kompania “Google” njoftoi sot se do të lejojë sërish reklamat politike, të pezulluara muajin e kaluar, pas trazirave të 6 janarit në Kapitol dhe para se Joe Biden të bënte betimin si president i SHBA-së.

“Nga e mërkura, ne do të heqim rregullin tonë mbi ngjarjet e ndjeshme në mënyrë që të lejojmë edhe një herë reklamuesit të transmetojnë reklama politike”, tha një zëdhënës i gjigantit të teknologjisë.

“Ne do të vazhdojmë të zbatojmë në mënyrë të rreptë rregulloret tona të reklamimit, që ndalojnë zyrtarisht shpërndarjen e informacionit qartësisht të rremë, që mund të dëmtojë besimin në zgjedhje ose procesin demokratik”, vazhdoi ai.

Kufizimet e vendosura nga “Google” parandaluan posaçërisht botimin e reklamave që synojnë një udhëheqës politik ose një kandidat në nivelin federal (president ose zëvendëspresident i SHBA, parlamentarë amerikanë) dhe në nivelin e shtetit (guvernatorët e shtetit, anëtarët e legjislaturës shtetërore).

“Google” reagoi një javë pas pushtimit të dhunshëm të Kongresit nga mbështetësit e Donald Trump gjatë certifikimit të rezultateve presidenciale, duke e motivuar vendimin e saj nga një dëshirë për të shmangur rrezikun e dhunës përpara marrjes zyrtare të detyrës nga Biden./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Përpjekje për finalizimin e një marrëveshje me një shtet mik për 360 mijë vaksina nga “AstraZeneca”
Artikulli tjetërZgjedhjet e 25 prillit/ Diskutime për rregullat antikovid që duhet të respektohen nga të gjithë