UASHINGTON, 13 shkurt /ATSH-AFP/ – Kompania amerikane bioteknologjike Moderna theksoi se u kishte kërkuar autoriteteteve shëndetësore në mbarë botën, të rrisin me 50% kapacitetin e flakonëve të vaksinave antiCOVID-19, për të përshpejtuar fushatat e vaksinimit.
“Për të kompletuar burimet dhe mundësitë për livrimin e më shumë dozave sa më shpejt në çdo treg, Moderna propozoi mbushjen e flakonëve të saj me deri në 15 doza vaksinash në krahasim me 10 që ishte më parë”, theksoi kompania në një komunikatë.
“Agjencia amerikane e Medikamenteve (FDA) ka autorizuar tashmë rritjen me 40% të përmbajtjes së flakonëve”, sipas New York Times, që citon burime të afërta.
Një zëdhënëse theksoi se diskutimet ishin duke u zhvilluar me FDA dhe autoritetet e vendeve të ndryshme ku përdoret vaksina, dhe se kjo rritje nuk do të kërkonte një ndryshim në kushtet e shisheve.
“Çdo ndryshim do t’i nënshtrohet autorizimit përfundimtar të autoriteteve të ndryshme rregullatore. Zbatimi i çdo ndryshimi do të zgjasë rreth dy deri në tre muaj”, shtoi ajo.
“Për të rritur dozat, linjat e prodhimit do të duhej të transformoheshin, gjë që do të merrte të paktën 10 javë, ose deri në fund të prillit”, theksoi New York Times.
“Ky do të ishte një hap i madh përpara”, përshëndeti Moncef Slaoui, ish-kryekëshilltar i programit të vaksinimit amerikan në qeverinë e Donald Trump./ /ec/












