TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte sot e pranishme në tryezën e arsimit parauniversitar në Fier.
“Arsimi parauniversitar për ne si LSI është një nga prioritetet kryesore dhe mendojmë që rëndësia e tij nuk ka të bëjë vetëm për furnizimin e degëve. Ne sot kemi një numër të kufizuar ku mungojnë mbi të gjitha nxënësit, maturantët, ata që janë nga një anë edhe përfituesit e arsimit parauniversitar, por edhe ana tjetër viktimat e arsimit parauniversitar”, tha Kryemadhi.
“Maturantët janë pjesa kryesore e zhvillimit të shoqërisë, sepse në fund të ditës ne arsimin nuk e shikojmë si një shpenzim në buxhetin e shtetit, ne arsimin e shikojmë si investim. Të investosh në arsim do të thotë të investosh në brezin e ri, të investosh në të ardhmen e familjeve shqiptare. Dhe në fakt pjesën kryesore të të gjithë qëllimeve tona në programin e arsimit kanë të bëjnë për të rinjtë tanë. Sepse në fund të ditës, për çdo prind një nga problemet që ka është arsimi dhe shëndeti i fëmijës”, u shpreh kryetarja e LSI.
“Kemi takuar shumë të rinj dhe të reja, shumë çifte të reja që janë në një dilemë nëse duhet të ikin apo të qëndrojnë në Shqipëri. Pika e parë që thonë është mungesa e sistemit arsimor për fëmijët tanë dhe rrënimi i tij. Dhe në fakt rrënimi i sistemi arsimor ka ardhur si rezultat i një lloj keqtrajtimi ose politizimi të të gjithë sistemit arsimor dhe më pas për ta çuar në militantizmin e sistemit arsimor”, tha Kryemadhi.
“Për ne sfidat e arsimit parauniversitar kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen e pagave të mësuesve, por kanë të bëjnë me shumë gjëra të tjera që i kemi diskutuar, edhe për të gjithë infrastrukturën e mësimdhënies”, shtoi Kryemadhi. /a.a/r.e/























