Arrestimi i gjyqtares/ Manja: Drejtësia e re në veprim

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ “Drejtësia e re në veprim”, e cilësoi Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja hetimin nga SPAK të gjyqtares në Krujë, Enkelejda Hoxha dhe bashkëpunëtorëve të saj.

“SPAK gradualisht, dalëngadalë, ka filluar të prodhojë produktet e para në luftën kundër korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë, përfshirë dhe zyrtarët e drejtësisë”, tha Manja në një intervistë televizive.

Natyrisht, shtoi ai, “nuk është lajm i mirë në kuptimin e gjyqësorit, pra për pushtetin gjyqësor, por në fund të fundit është një proces që nuk mund të shmanget. Kushdo zyrtarë i lartë publik në këtë vend, që zgjedh mes zbatimit të ligjit dhe korrektësisë në detyrë, zgjedh të korruptohet apo të bëjë drejtësi selektive, natyrisht do të përballet dhe me pasojat”.

Ai u shpreh se SPAK ishte një nga risitë e reformës në sistemin e drejtësisë.

“Unë do të veçoja Vetingun si proces, si filtër i pastrimit të sistemit nga pjesa e kalbur e sistemit gjyqësor dhe SPAK si Strukturë e Posaçme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, janë dy nga risitë themelore të reformës në sistemin e drejtësisë”, tha Manja.

I pyetur nëse SPAK do të godasë edhe politikanët, Manja theksoi se, “SPAK ka një mision të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale. Ka një rreth subjektesh që janë të përcaktuar në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurës Penale, që i ka duart e lira t’i hetojë pa kufizim nëse këto subjekte bien në konflikt me ligjin penal”.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ndaj gjyqtares Altina Xhoxhaj, Manja tha se, “vendimi i GJEDNJ konfirmoi kushtetutshmërinë dhe drejtësinë e procesit të Vetingut në Shqipëri”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.