Ballina Bota

FOKUS – OKB: Covid-19 të mos bëhet pengesë për luftën kundër terrorizmit

NJU JORK, 11 shkurt /ATSH-ANSA/ – Masat e miratuara nga shtetet për frenimin e përhapjes së Covid-19, të tilla si kufizimet në qarkullim, vazhdojnë të komplikojnë veprimtarinë e terroristëve dhe mundësinë që ata të mund të takohen ose të hyjnë në faqet e internetit, por, ekstremistët në zonat e konflikteve kanë ruajtur kapacitetin e tyre mobil dhe operacional.

Gjithashtu është i lartë rreziku i ekspozimit ndaj propagandës së ekstremizmit islamik dhe nxitjes nga ISIS-i pasi njerëzit, veçanërisht të rinjtë, kalojnë më shumë kohë në shtëpi dhe në internet.

Analiza kundër terrorizmit vjen nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Vladimir Voronkov, i cili në një takim të Këshillit të Sigurimit për këtë çështje paralajmëroi se “mobilizimi global për t’iu kundërvënë pandemisë Covid-19 nuk duhet të na bëjë të harrojmë kërcënimin e terrorizmit, lufta kundër të cilit mbetet një përparësi”.

”Prandaj është thelbësore që shtetet të qëndrojnë të përqendruara dhe të bashkuara për të bërë një front të përbashkët kundër këtij rreziku, pavarësisht prioriteteve në lidhje me Covid 19″, tha ai.

“Pandemia është sfida më urgjente… që po na lë në një pozitë të pasigurt”, shtoi Michèle Coninsx, zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, që drejton Komitetin Kundër Terrorizmit.

“Ndërsa vëmendja ndërkombëtare me të drejtë është zhvendosur drejt luftës kundër virusit, duhet të kemi kujdes që të mos rrezikojmë suksesin në të cilin kemi arritur në luftën kundër terrorizmit”, përfundoi Voronkov./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTërmeti i dëmtoi banesën, Seit Haxhiu firmos kontratën për rindërtimin: Po mos të ishte Rama, shtëpitë nuk bëheshin asnjëherë
Artikulli tjetërGREQI – ”Medea” mbërrin me dëborë të dendur dhe temperatura polare