ROMË, 3 shkurt /ATSH-ANSA-AFP/ – Mario Draghi, i ngarkuar për të formuar një qeveri për të nxjerrë Italinë nga kriza politike bëri sot një thirrje për unitet, për të përballuar një moment të vështirë, ndërkohë që vendi ndodhet mes krizës shëndetësore dhe ekonomike.
“Bëhet fjalë për një moment të vështirë (…) Të mundim pandeminë, të vazhdojmë fushatën e vaksinimit (…) dhe rimëkëmbja e vendit janë sfidat që na presin”, deklaroi ish-kreu u Bankës Qendrore Europiane në përfundim të një takimi me presidentin italian, Sergio Mattarella.
Ai u shpreh optimist se uniteti do të shfaqej nga diskutimet me partitë politike dhe grupet parlamentare.
“Ndërgjegjësimi se po kalojmë një krizë kërkon përgjigje në lartësinë e situatës”, nënvizoi ai ndërkohë që Italia, që ka regjistruar më shumë se 89 000 të vdekur që prej fillimit të pandemisë, është zhytur në recesionin më të rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore, me një rënie prej 8,9% të PBB në 2020.
Presidenti italian, Sergio Mattarella ngarkoi ish-presidentin e Bankës Qendrore Europiane (BQE), Mario Draghi për të formuar një qeveri të re.
Draghi e pranoi me rezerva këtë emërim, në varësi të gjetjes së një shumice parlamentare.
”Mattarella priti këtë mëngjes (…) Mario Draghin, të cilit i dha mandatin për të formuar qeverinë. Draghi e pranoi detyrën”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i presidencës.
Pranimi “me rezerva” është një formulë e vendosur në Itali, që justifikon fazën e kërkimit të shumicës parlamentare./ /ec/












