NJU JORK, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Kompania amerikane e tregtisë elektronike, Amazon shënoi rritje të shitjeve prej 100 miliardë dollarësh në tremujorin e katërt të vitit 2020, për herë të parë në historinë e kompanisë.
Kompania njoftoi se shitjet e saj neto u rritën me 43,7% në 125,6 miliardë dollarë në tremujorin e katërt të vitit 2020, krahasuar me 87,4 miliardë dollarë të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kryesisht për shkak të rritjes së blerjeve në internet gjatë sezonit të pandemisë dhe festave.
Shitjet neto për vitin e plotë të 2020 u rritën me 37,6% në 386 miliardë dollarë, nga 280,5 miliardë dollarë në vitin 2019.
Të ardhurat neto u rritën me 118% në 7,2 miliardë dollarë në periudhën tetor-dhjetor të vitit të kaluar, të ardhurat totale arritën në 21,3 miliardë dollarë në vitin e plotë 2020, nga 11,6 miliardë dollarë në 2019, me një fitim prej 83,6%.
Miliona njerëz në SHBA dhe në të gjithë botën u janë kthyer blerjeve në internet që nga marsi i vitit të kaluar pasi masat e karantinës dhe të qëndrimit në shtëpi detyruan mbylljen e dyqaneve me pakicë, por favorizuan tregjet në internet.
Amazon theksoi se vlerësonte që shitjet neto të jenë midis 100 dhe 106 miliardë dollarë në tremujorin e parë të këtij viti, e cila do të shënonte një rritje midis 33-40% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020.
Shefi ekzekutiv i Amazon-it, Jeff Bezos, personi i dytë më i pasur në botë, njoftoi të martën se do të tërhiqet nga pozicioni i tij dhe do të kalojë në postin e kryetarit ekzekutiv të Bordit të Amazon-it për të “pasur kohë dhe energji” në projekte të tjera./ /ec/























