LONDËR – GSK dhe CureVac bashkëpunim për një vaksinë kundër varianteve të reja të COVID-19

LONDËR, 3 shkurt /ATSH-AFP/ – Laboratori farmaceutik britanik GSK dhe konkurrenti i saj gjerman CureVac njoftuan sot se do të bashkohen për të prodhuar një vaksinë kundër varianteve të reja të koronavirusit të ri me shpresën për të qenë gati për 2022.

“Objektivi është të zhvillojmë një vaksinë kandidate që i përgjigjet varianteve që ndodhin gjatë pandemisë”, sipas një komunikate.

Ai do të synojë variante që janë tashmë në shfaqje dhe ato që mund të mbërrijnë më vonë, sipas të dy grupeve që kanë krijuar tashmë lidhje pasi GSK kishte marrë 10% të aksioneve të laboratorit bioteknologjik gjerman korrikun e kaluar.

Puna do të fillojë menjëherë me shpresën për të qenë në gjendje të përfundojë në 2022 me kusht që të ketë dritën jeshile nga autoritetet shëndetësore.

“Shfaqja e varianteve me rrezikun e zvogëlimit të efektivitetit të vaksinave të gjeneratës së parë kundër COVID-19 kërkon që ne të përshpejtojmë përpjekjet për të qëndruar përpara pandemisë”, vijon komunikata.

Marrëveshja parashikon që GSK do të paguajë 150 milionë euro për start-up gjerman, gjë që do të mundësojë për britanikët të mbajnë të drejtat për vaksinën e re në të gjitha vendet përveç Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës.

“Ne besojmë se gjenerata e ardhshme e vaksinave do të jetë thelbësore në luftën e vazhdueshme kundër COVID-19”, theksoi Emma Walmsley, drejtuese e përgjithshme e GSK. / /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.