TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Programi i rindërtimit po garanton punësim masiv për 27 mijë persona.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në konferencën e përjavshme për mediet “Ekonomia në Fokus”, me temë “Rindërtimi”.
“Në këtë forum të javës së hapur mbi ekonominë fokusin do ta kemi tek procesi i rindërtimit si një proces që do të duhet të garantojë siç po garanton dita ditës strehim të ri e cilësor për familjet e goditura nga fatkeqësia e tërmetit. Punësim masiv siç po garanton për 27 mijë persona, që janë përfshirë në atë program dhe që falë kantiereve të hapura të rindërtimit në perimetrin e zonës së prekur çojnë rrogën në familjet e tyre dhe një impakt të konsiderueshëm në një ekonomi të cënuar nga kjo kohë e mallkuar pandemie”, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “si të gjitha të këqijat që nuk vijnë vetëm për keq tragjedia e 26 nëntorit ka hapur një hapësirë të re për mundësira të reja dhe programi i rindërtimit ka ndikuar dhe po ndikon ndjeshëm në ekonominë tonë”./k.s/r.e/























