Ballina Ekonomi

“Programi i PD i copëzuar”/ Nikolla: E konsideronte ndihmën ekonomike lëmoshë, ne e dyfishuam

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Për zv.ministrin e Shëndetësisë, Albert Nikolla, programi i PD-së është i copëzuar dhe lë shumë pyetje pa përgjigje. Sipas zv.ministrit Nikolla tek pjesa sociale, PD premton përgjysmim të varfërisë, por nuk jep asnjë ide se çfarë është varfëria dhe nuk ka një qasje shkencore në program. Nikolla theksoi se PD e konsideronte ndihmën ekonomike si një lëmoshë pasi ofronte 1 mijë lekë të reja për familjet në nevojë.

“Thonë që do të rrisin ndihmën ekonomike, në 2013 e lanë në nivele të mjerueshme. Diku nga 2012-2013 PD mori një fushatë të trishtë që ishte me 1 mijë lekë të reja për familje, pra e konsideronte ndihmën ekonomike si një lëmoshë, nuk është e denjë, ndërkohë që PS, fondi për ndihmën sociale në Bashkisë e Shqipëri ka kaluar nga 3-6 %, nga 5300 lekë të reja është dyfishuar, ndërkohë ka hequr abuzimet masive që ndodhnin me një cikël marramendës që ndodhte”, tha Nikolla.

Sa i përket vaksinave, Nikolla tha se nuk ka asnjë paragjykim për asnjë kompani apo shtet në të cilin është prodhuar, mjafton që të ketë kaluar 3 parametrat kryesorë.
“Ministria e Shëndetësisë ka në fokus ruajtjen e shëndetit të popullsisë, nuk kemi paragjykime nëse një vaksinë kalon nga FDA dhe EMA dhe filtri i OBSH, ajo vaksinë është e mirëseardhur, se efektiviteti nuk ka të bëjë se me nga vjen, por vetë efikasitetin që ka, nuk ka asnjë paragjykim. Por duhet të kalojë këto 3 parametra thelbësorë”, tha Nikolla.

Mbi procesin e vaksinimit në Shqipëri Nikolla tha se, “vonesa lidhet me atë që ndodh në botë, ‘Pfizer’ ka pasur disa vonesa dhe disa vende të BE ka pasur edhe probleme me natyrë legale, ne presim që të vijë pjesa e parë e vaksinave. 10 700 vaksina është parashikuar,  por sot vjen një numër i reduktuar. Nesër do marrin dozën e dytë ato që kanë bërë dozën e parë, ky ritëm do jetë i siguruar dhe i mbajtur. Nëpërmjet COVAX kemi garantuar 1 mln e 200 mijë vaksinë, kemi garantuar për 600 mijë vaksina. Jemi në kontakte me ‘Moderna’ dhe ‘AstraZeneca’. Në varësi të ardhjes së pjesës së madhe të vaksinës, do të vazhdohet edhe me vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve, pastaj të të gjithë mjekëve, dhe njëherazi do vaksinohen ato me sëmundje kronike”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProgrami i shëndetësisë së PD-së/ Koduzi: Karta universale e të drejtave të pacientit, realitet
Artikulli tjetërCOVID-19 – EMA rishikon ilaçin REGN-COV2