TIRANË, 27 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjeitike Shqiptare (KESH) informoi sot se prurjet në kaskadën e lumit Drin kanë rënë në 1 560 m3/s nga 2 200 m3/s që ishin një ditë më parë, ndërsa po vijon prodhimi me kapacitetet maksimale duke bërë të mundur plotësimin e të gjithë kërkesës për energji elektrike në vend.
KESH, po ashtu informoi se po kryhen shkarkime edhe nga tre HEC-et mbi Drin.
Niveli i ujit në liqenin e hidrocentralit të Fierzës është 290.53 m nga 296 m që është kuota maksimale, në Hec-n e Komanit 173.26 m nga 175.5 m dhe HEC-n e Vaut të Dejës, 73.77 m nga 76 m që është kuota maksimale.
Në HEC-n e Ferzës prodhimi ditor është 6 865 MWh, në Koman 13 408 MWh, ndërsa në Vaun e Dejës, 4 320 MWh.
”Prodhimi total plotëson të gjithë kërkesën për energji elektrike të konsumit për vendin”, bën të ditur KESH.
Sipas të dhënave të publikuara nga KESH-i, në HEC-in e Fierzës shkarkimi nga prodhimi është 475 m3/s dhe 400 m3/s shkarkime nga portat. Në Hec-in e Komanit shkarkimi nga prodhimi është 667 m3/s dhe 500 m3/s nga portat. Në Hec-in e Vaut të Dejës shkarkimi nga pordhimi është 430 m3/s dhe 500 m3/s nga portat.
“KESH do të vijojë të monitorojë situatën duke garantuar sigurinë e plotë të digave, furnizimin me energji elektrike të konsumatorit vendas dhe shmangien e ndikimit negativ të shkarkimeve në zonën e NënShkodrës”, thuhet në njoftimin e KESH-it.
/r.e/