Pacientët me kancer mund të marrin në mënyrë të sigurt vaksinën CoronaVac

ANKARA, 26 janar /ATSH-AA/ – Vaksina kineze CoronaVac, e cila po përdoret në Turqi kundër koronavirusit të ri (COVID-19), nuk përbën rrezik për pacientët me kancer, theksoi Timuçin Çil, studiues në Klinikën Mjekësore Onkologjike në Spitalin e Trajnimit dhe Studimit në Adana.

Mjeku Timuçin Çil tha se pacientët me kancer bëjnë pjesë në grupet e rrezikut nga koronavirusi.

“Pacientët me kancer mund të marrin në mënyrë të sigurt vaksinën e inaktivuar. Është shumë e sigurt dhe nuk përbën rrezik për ta. Vaksinimi me të rekomandohet qartë nga të gjitha udhëzimet në të gjithë botën”, theksoi Çil.

Ai bëri një krahasim me vaksinat kundër gripit, duke theksuar se vaksinimi nuk paraqet rrezik për pacientët me kancer.

“Vaksina CoronaVac mund të përdoret në mënyrë të sigurt. Vaksinat e gripit që ne përdorim janë gjithashtu vaksina të inaktivuara. Nuk paraqet rrezik për pacientët me kancer”, shtoi ai.

Duke theksuar se vaksina CoronaVac, një “vaksinë e inaktivuar”, po përdoret në Turqi, ai tha se për pacientët me kancer kjo sugjerohet edhe nga institucionet shëndetësore të vendeve tjera.

“Ne e dimë se është një metodë e përshtatshme vaksinimi për pacientët me kancer. Tani e dimë se Shoqata Amerikane e Kancerit, Shoqata Evropiane e Onkologjisë Mjekësore dhe Shoqata Turke e Onkologjisë Mjekësore sugjeron qartë vaksinimin. Të gjithë pacientët me kancer duhet të vaksinohen”, theksoi Çil.

Ai gjithashtu sqaroi se ekzistojnë dy grupe të pacientëve me kancer. Grupi i parë janë pacientët që nuk marrin trajtim aktiv, për të cilët tha se duhet të vaksinohen menjëherë kur t’u vjen radha.

Grupi i dytë i pacientëve, shtoi mjeku Timuçin Çil, janë ata që marrin trajtim aktiv, siç është trajtimi me kirurgji, kimioterapi, imunoterapi apo radioterapi.

“Këta pacientë gjithashtu duhet të vaksinohen, por kur sistemi imunitar dobësohet gjatë kimioterapisë, duhet të merret parasysh mendimi i onkologëve para vaksinimit”, shtoi Çil.

Ai gjithashtu tha se pacientët me kancer mbi moshën 85 vjeç po vaksinohen në përputhje me programin e vaksinimit të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.