TIRANË, 26 janar/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i klubit të futbollit “Partizani”, Olsi Rama prezantoi lojtarin e ri të skuadrës, Ferhan Hasani, duke theksuar se “’Partizani’ ka sjellë një lojtar që i sjell bukuri Superiores”.
“Është fat për ne që e sjellim në një merkato si e janarit. Kisha krijuar një raport personal që vitin e kaluar. Ramë dakord që vjet nuk ishte momenti i duhur t’i bënim një ofertë. Ky vit mund të jetë i duhuri për të sjellë një element të tillë në ekip për t’u rritur në cilësi”, u shpreh Rama gjatë prezantimit.
Futbollisti Hasani ka një karrierë të admirueshme ndërkombëtare. Rama përmendi paraqitjet me “Brondby”, “Wolfsburg” dhe “Shkëndijën” që është krenaria e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pa harruar “Helsinkin”.
“Ai vjen me shumë dëshirë te ne, vishet krejt i kuq këtë herë. Ka shumë dëshirë të provojë këtë eksperiencë të re”, theksoi drejtori i përgjithshëm i Partizanit.
“Ai e zgjodhi ‘Partizanin’, sepse është ekipi që ka punuar më mirë, me stabilitet dhe ka qenë korrekt me stafin dhe lojtarët”, tha Rama.
“Nuk ishte e nevojshme të shikonim në programe, pasi e kemi parë në vazhdimësi te ‘Shkëndija’. Kemi parë edhe ato që Hasani ka arritur jashtë Ballkanit. Nuk kishte shumë për të parë. U bazuam te cilësitë e tij si lojtar, por më shumë te cilësitë si njeri. Sjell në ekip një personalitet për t’u admiruar dhe shpresoj të na rritë të gjithëve. Daja e ka ndjekur, Pollozhani e ka pasur në ekip. Nuk ka nevojë të prezantojmë më shumë vlerat morale të Bubës, veç atyre sportive që shihen”, theksoi Rama. /r.e/