Mbështetja nga programi IPARD/ Agroturizëm “Pema e Jetës” përmbyll linjën e përpunimit të fruta-perimeve

TIRANË, 24 janar/ATSH/- Pika agroturistike, “Pema e Jetës” është një investim shumëdimensional i sipërmarrësit Artur Bujari, që me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka arritur të krijojë të parën qendër agroturistike në vend që prodhon, tregton (restorant), përpunon dhe grumbullon (qendër frigoriferike) të gjitha llojet e produkteve bujqësore, blegtorale e agroushqimore.

Kjo pikë agroturistike është një tjetër subjekt që ka përfituar nga mbështetja e programit IPARD duke përmbyllur linjën e përpunimit të fruta-perimeve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi e shoqëruar edhe nga drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca vizituan këtë pikë agroturistike e cila me investimin më të fundit kompleton fermën që ndodhet në afërsi të Durrësit.

Ekonomi theksoi se Qeveria Shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë agroturizmit duke lehtësuar jo pak barrën fiskale.

“Po shikoj nga afër se si agrobiznesi shqiptar përparon çdo ditë jo vetëm falë iniciativës së vet, por edhe nga mbështetja që merr përditë nga qeveria shqiptare. Them përditë se aplikimi bëhet një herë në vit, por ndjekja që i bëhet biznesit për të çuar deri në fund investimin është e përditshme. Falë AZHBR-së dhe iniciativës private ne shikojmë me kënaqësi se si monoblloku që merret me ruajtjen dhe përpunimin e fruta-perimeve në këtë zonë është një investim i kryer dhe që pritet fillojë nga funksionimi”, u shpreh Ekonomi.

Në plantacionet me pemëtore në “Pemën e Jetës” janë mbjell 800 rrënjë pemë frutore të të gjitha llojeve autoktone dhe 2000 rrënjë fruta pylli që nuk njiheshin më parë në Shqipëri.

Një nga të veçantat e kësaj ferme është mbjellja dhe përpunimi më pas në salcra të ndryshme i manava goxhi, një frut i rrallë për Europën, por shumë popullor në SHBA dhe Kinë (ku njihet me emrin goji-berry).

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.