Dita Ndërkombëtare e Arsimit/ Kushi: Të gjithë së bashku, le t’i japim akoma më shumë prioritet arsimit

TIRANË, 24 janar/ATSH/- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Arsimit, ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka zgjedhur të urojë këtë ditë të shënuar nga OKB, nëpërmjet një videoje sensibilizuese ku shfaqen mesazhet e saj, të nxënësve e stafit shkollor gjithashtu.

“Të gjithë së bashku, le t’i japim akoma më shumë prioritet arsimit si një e mirë publike. Sepse arsimi ka fuqinë që të transformojë rrënjësisht jetët tona, redukton pabarazinë dhe është shtylla bazë për zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi. Gëzuar të gjithëve Ditën Ndërkombëtare të Arsimit”, shprehet Kushi në mesazhin e saj.

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit, e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e saj të mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, ka shpallur 24 janarin si “Ditë Ndërkombëtare të Arsimit” duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive”

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.