Lojërat Olimpike të Tokios do të kushtojnë mbi 3,7 miliardë dollarë

PEKIN, 21 janar /ATSH- AA/- Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios të këtij viti do t’i kushtojnë qeverisë japoneze mbi 390 miliardë jen (3,76 miliardë dollarë).

Mediat lokale raportojnë se vlera përfshin 781 milionë dollarë shtesë, të cilat iu shtuan buxhetit për masat kundër infeksioneve për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Gjithashtu në shpenzime janë përfshirë rreth 1,2 miliardë dollarë për programet e trajnimit të sportistëve, 517 milionë dollarë për sigurinë dhe rreth 499 milionë dollarë lidhur me ndërtimin e Stadiumit Kombëtar”, thuhet në raportin e mediave.

Fillimisht lojërat u planifikuan të mbahen në muajin korrik të vitit të kaluar, por për shkak të pandemisë Olimpiada 2020 u shty ashtu si shumë ngjarje të tjera sportive në mbarë botën.

Lojërat Olimpike pritet të mbahen nga 23 korriku deri më 8 gusht të këtij viti, e ndjekur nga Lojërat Paraolimpike nga 24 gushti deri më 5 shtator. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.