TIRANË, 19 janar/ATSH/ 35 883 punonjës të sistemit arsimor parauniversitar përfitojnë nga rritja e pagave prej 15 % që ka nisur të llogaritet nga 1 janari i këtij viti.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rritja e pagës së mësuesve është bërë mbi funksionin.
Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp me fokus ekonominë, Rama tha se kjo është bërë e qartë që në fillim që rritja e pagës do të jetë mbi funksionin.
“Kjo është llogaria që duhet bërë dhe ka qenë e qartë që në krye të herës edhe në shpjegimin që i kemi bërë ne. Nuk është 7X7=42”, – deklaroi Kryeministri.
Rritja e pagës për funksion do të thotë se rritet me 15 % funksioni dhe nuk përfshihet në këtë rritje elementë të tillë si vështirësia për lëndën, apo pagesa e largësisë për mësuesit që ushtrojnë profesionin në një vend të ndryshëm nga vendi i banimit.
Rritja e pagës prej 15 % bëhet për t’i dhënë një vlerë të shtuar punës e përpjekjes që bëhet nga punonjësit e sistemit arsimor përgjatë periudhës së pandemisë.
Fondi vjetor për rritjen e pagave me 15 % për punonjësit mësimor llogaritet 3.5 miliardë lekë.
Konkretisht paga mesatare bruto e mësuesve të shkollave 9-vjeçare nga 65 800 lekë që është do të bëhet 72 100 lekë. Paga mesatare bruto e mësuesve të gjimnazeve nga 68 800 lekë që është do të bëhet 75 550 lekë.
Kështu, në sistemin arsimor shqiptar, paga mesatare ishte 65 800 lekë, me rritjen 15 % (6300 lekë) shkon në 72 100 lekë, ndërsa paga mesatare bruto e mësuesve ishte 68 800 lekë, me rritjen 15 % (6750 lekë) shkon në 75 550 lekë.
Pagat e mësuesve të shkollave 9-vjeçare nga 2013 në 2021 janë rritur me 21.6 %, ato të shkollave të mesme me 21.3 %. /r.e/























