Faqja italiane: Shqipëria, Eldoradoja e taksave zero për kompanitë dhe pensionistët

TIRANË, 9 janar /ATSH/ – Në imagjinatën e atyre që dëgjojnë për Shqipërinë, pa e vizituar atë gjatë këtyre 10 viteve të fundit, janë ende ankorimi i anijes ”Vlora” në portin e Barit, më 8 gusht 1991 dhe ”pushtimi” që 20 mijë shqiptarë bënë asokohe Italisë, shkruan faqja e specializuar ekonomike italiane, economymagazine.it.

”Pas 30 vitesh nga ajo ngjarje, Shqipëria ka ecur shumë shpejt, një rrugë që e ka çuar atë të jetë një vend me standarde europiane dhe me një rritje ekonomike mesatare prej 5%  në 10 vitet e fundit.

Një nga gjërat më të habitshme në Shqipëri është mikpritja e rezervuar për italianët nga banorët vendas, ndërkohë që krimi ordiner i vogël është pothuajse i panjohur, të rinjtë janë edukuar t’ju respektojnë, rregullat respektohen dhe zbatohen si në rrugë ashtu edhe  në autobusë. Investimet e Huaja Direkte (FDI), një aneks i ”Financial Times”, publikoi një raport të veçantë që rendit destinacionet kryesore europiane për të investuar për periudhën 2020-2021.

Në një nga këto kategori gjejmë edhe kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën.

“Kriza ekonomike dhe financiare me të cilën përballen kompanitë italiane për disa vite e ka bërë çështjen e ndërkombëtarizimit një temë jashtëzakonisht aktuale”, thotë Roberto Laera, drejtori i Rrjetit të Grupit Italian, i cili për 15 vjet ka mbështetur qindra kompani të huaja për ndërkombëtarizimin e tyre në Ballkan, që sheh te Shqipëria pikën më të volitshme natyrore dhe gjeopolitike për kompanitë italiane.

“Pranë Italisë dhe një urë natyrore drejt Ballkanit dhe Europës Lindore, Shqipëria ka një ekonomi në rritje të vazhdueshme, një treg pune të ri, dinamik dhe shumë më të lirë sesa në vendet e tjera të zhvilluara”, shton ai.

Kompani të shumta europiane, pensionistë dhe punëtorët e kanë kuptuar këtë, aq sa ka më shumë se 3 000 kompani me kapital italian të pranishëm në Vendin e Shqiponjave dhe rreth 20 mijë italianë që jetojnë në Shqipëri.

Në përgjithësi, një kompani italiane ka përparësi të shumta të tilla si një fuqi punëtore e kualifikuar, tatimi mbi fitimet që variojnë nga 0% në 15%, kostot e punës ndër më të ulëtat në Europën Lindore, traktatin e taksimit të dyfishtë me Italinë, nivelin e arsimimit mbi mesataren e BE-së, gjuha italiane që flitet nga një pjesë e madhe e popullsisë, stimuj të fortë nga FMN dhe BQE për iniciativa biznesi, prani e gjerë e bankave ndërkombëtare dhe italiane (Banca Intesa Albania), një vend në një bum të plotë ekonomik me hapësirë ​​të bollshme për investime në sektorë të ndryshëm.

Për Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë, Shqipëria mburret me rritjen më të lartë ekonomike në Europën Juglindore dhe barrën e taksave ndër më të ulëtat.

Përveç të gjitha këtyre avantazheve, qeveria shqiptare, për të përballuar krizën që po godet të gjithë botën për shkak të pandemisë, ka vendosur për 2021 një seri stimujsh për taksat për kompanitë që variojnë nga taksat zero për fitim biznesi për ndërmarrjet me një xhiro deri në 14 milionë lekë (rreth 130 mijë euro), me zerimin e TVSH-së për kompanitë me një xhiro deri në 10 milionë lekë (rreth 80 mijë euro).

Këto politika stimuluese, u shtohen atyre të nisura tashmë viteve të fundit, për të tërhequr investime, të cilat eliminojnë taksat në sektorin e turizmit hotelier për hotelet me 4 dhe 5 yje, në sektorin agro-ushqimor, në teknologjinë e informacionit, për sipërmarrje në agroturizëm dhe për kompanitë bujqësore.

TVSH-ja u ul në 6% për akomodimin dhe shërbimet hotelierike brenda objekteve turistike dhe bizneseve të agroturizmit, përveç përjashtimit TOTAL nga TVSH-ja për importet të produkteve dhe makinerive bujqësore, lëndëve të para në industrinë farmaceutike, shërbimeve veterinare dhe investimeve në energjinë diellore (fotovoltaike).

Për të mos përmendur fondet e vendosura nga donatorë ndërkombëtarë si BQE, FMN, EIF, BERZH, ADF e tjerë për zhvillimin e turizmit dhe agro-ushqimit.

Në prill 2020, një zonë pa taksa dhe dogana u krijua gjithashtu në zonën industriale të Elbasanit, disa minuta nga Tirana, përveç krijimit të një zone të re të lirë ekonomike prej 80 hektarësh në Kashar të Tiranës, e destinuar te kompanitë e teknologjisë me përparësi të shumta ndaj kompanive që duan të zhvendosen.

Por, përparësitë e lëvizjes në Shqipëri nuk rezervohen vetëm për bizneset.

Në janar 2020, qeveria miratoi heqjen e taksave për pensionet për të gjithë shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë dhe për të gjithë shtetasit e Bashkimit Europian që do të lëvizin me leje të rregullt qëndrimi në Shqipëri.

Shumë afër Italisë dhe jo vetëm gjeografikisht, Shqipëria po bëhet një nga destinacionet më interesante, veçanërisht vitet e fundit: kosto shumë të ulëta qiraje, kosto të ulëta të jetesës, plazhe të bukura dhe një klimë e favorshme dhe një komunitet italianësh, që po rritet gjithnjë e më shumë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.