Ballina Bota

BOSNJE – BE dënon kushtet e papranueshme për migrantët

SARAJEVË, 3 janar /ATSH-AFP/ – Jeta e disa qindra migrantëve të pastrehë, të bllokuar në Bosnje-Hercegovinë, në kufirin e Bashkimit Europian, është në rrezik dhe kjo situatë është e papranueshme, theksoi sot përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje.

Që prej kohës kur një zjarr dogji më 23 dhjetor kampin e tyre në afërsi të qytetit boshnjak të Bihac (veriperëndim) një mijë migrantë kanë mbetur të pastrehë mes të ftohtit dhe shirave.

“Situata është plotësisht e papranueshme. Jeta dhe të drejtat themelore të disa qindra personave janë në rrezik serioz”, theksoi përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje Johann Sattler pas një takimi me ministrin boshnjak të Sigurisë, Selmo Cikotic.

Kampi Lipa, i quajtur me emrin e lokalitetit ku ishte vendosur, i cili ishte hapur në prill, u braktis në 23 dhjetor nga ekipet e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), menaxheri i saj, sepse kushtet nuk ishin të përshtatshme për strehim gjatë dimrit.

Ai u përfshi nga flakët menjëherë më pas, me shumë gjasa nga migrantët vetë, për të protestuar kundër tërheqjes së OIM-së, sipas policisë.

Sattler u takua me ministrin boshnjak së bashku me ambasadorët austriakë, gjermanë dhe italianë në Bosnjë, sipas një deklarate nga delegacioni i BE në Sarajevë.

“Diskutimi u përqëndrua në zgjidhjet urgjente për një situatë jashtëzakonisht shqetësuese”, sipas të njëjtit burim./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Shtyhet hapja e stacioneve të skive
Artikulli tjetërZVICËR – Parmelin: Kemi bërë gabime në menaxhimin e COVID-19