EDIMBURG, 28 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Vënia e maskës në mënyrën korrekte jo vetëm që ndihmon në parandalimin e infektimit me Sars-Cov-2, por shoqërohet gjithashtu edhe me reduktimin e ankthit, vetmisë, si edhe me një mirëqenie më të madhe të përgjithshme, sipas një studimi të bërë nga Universiteti i Edimburgut.
Një ekip studiuesish nga Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Edimburgut mblodhi të dhëna përmes platformës “Qualtrics” midis prillit dhe qershorit 2020.
Për të arritur në rezultatet e studimit, studiuesit rekrutuan 11 000 pjesëmarrës në të gjithë Britaninë e Madhe, të cilët plotësuan sondazhet e “CovidLife”, një iniciativë e ndërmarrë nga universiteti skocez, në përpjekje për të matur dhe kuptuar ndikimin e pandemisë në shëndetin dhe mirëqenien e kombit.
“Ndryshe nga paragjykimet, personat që mbanin vazhdimisht maska mbrojtëse, zakonisht kishin shëndet mendor më të mirë se ata që nuk mbanin”, thanë studiuesit, të udhëhequr nga Drew Altschul.
Studimi zbuloi se mundësitë për të përjetuar ankth ishin 58 % më të ulëta midis atyre që mbanin maskë tërë kohës.
Mundësia e përjetimit të simptomave depresive ishte 25 % më e ulët në mesin e atyre që mbanin maska shumicën e kohës.
Së fundi, mundësitë për t’u ndjerë të vetmuar ishin 67 % më të ulëta./ /ervo/























