TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi sot dy projektligje.
Në drejtimin e kryetarit, Enver Roshi, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në cilësinë e komisionit përgjegjës, mori në shqyrtim projektligjin: “Për njohjen si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore” nismë e propozuar nga deputet Paulin Sterkaj dhe Ilir Beqaj, si dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin: “Për faljen e detyrimeve, që ish-punonjësit e nëntokës kanë ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të llogaritur për periudhën që kanë përfituar sipas ligjit nr 8685, datë 9.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët njëkohësisht kanë zhvilluar aktivitet ekonomik si të punësuar ose vetpunësuar”.
Në cilësinë e propozuesit i pranishëm për të folur rreth dy projektligjeve ishte Ilir Beqaj dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Astrit Kuka, Drejtor i Politikave të Punësimit dhe Arsimit Profesional dhe Mimoza Dhëmbi, Drejtor i Përgjithshëm i Buxhetit.
Për sa i përket projektligjit të parë Beqaj shpjegoi përpara komisionit qëllimin e projektligjit si dhe argumentoi mbi arsyet e ndërmarrjes së iniciativës duke sqaruar se nëpërmjet këtij projektligji i jepet zgjidhje problematikës shumëvjeçare në lidhje me vjetërsinë në punë të anëtareve që kanë punuar pranë ish kooperativave bujqësore.
“Në shumë raste regjistrat e këtyre kooperativave janë dorëzuar të mangët, ose nuk janë dorëzuar fare, një pjesë e këtyre regjistrave u shkatëruan dhe për këtë shkak periudhat e vjetërsisë në punë pranë kooperativave bujqësore nuk u janë njohur anëtareve. Ndjekja e procedurave gjyqësore ka pasur dhe ka një kosto finaciare për këtë kategori, e cila ështe shlyer nga vetë personi ose nga vetë organet e sigurimeve shoqërore” sqaroi më tej Beqaj.
Relatorja e projektligjit Adriana Jaku u shpreh se qëllimi i këtij projektligji është njohja si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore, të periudhave të punësimit në ish kooperativat bujqësore, për te cilat në Drejtorinë e Arkivit Qëndror të Institutit të Sigurimeve Shoqërore nuk është dorëzuar dokumentacioni i plotë për vjetërsinë në punë nga data e krijimit deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501 datë 19.07.1991, “ Për tokën”, i ndryshuar.
Për sa i përket projektligjit të dytë Beqaj shpjegoi përpara komisionit qëllimin e projektligjit si dhe argumentoi mbi arsyet e ndërmarrjes së kësaj inisiative.
“Nëpërmjet faljes se detyrimeve sipas këtij projektligji, pra mos ushtrimin e ndalesave nga pensioni, synohet të normalizohet situata e tyre financiare me të ardhura të mjaftueshme mujore për plotësimin e nevojave jetesore” sqaroi Beqaj.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratian në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjet në fjalë.
Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX. /j.p/






















