Cakaj, thirrje qytetarëve në Medvegjë e Bujanoc: Paraqisni rastet e pasivizimit të adresave pranë Këshillit Kombëtar Shqiptar

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri me dije sot se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ndërmarrë një fushatë jashtëzakonisht të vyer këto ditë për mbledhjen e të dhënave personale për gjithë shqiptarët me adresa të pasivizuara në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

“Për këtë arsye, veçanërisht këto ditë kemi ruajtur komunikim të ngushtë me Kryetarin e Këshillit, Ragmi Mustafa, për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e kësaj nisme”, u shpreh Cakaj në një postim në Facebook.

Gjithashtu, Cakaj theksoi se dokumentimi i saktë i adresave të pasivizuara është parakusht për trajtimin e këtij procesi krejtësisht arbitrar dhe diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës.

Kryediplomati Cakaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, të cilëve u janë pasivizuar adresat, të paraqesin rastet e tyre pranë zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc e Medvegjë.

“Ne do vazhdojmë mbështetjen e pakursyer me veprime konkrete politike, institucionale dhe diplomatike për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës”- përfundoi Cakaj reagimin e tij. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.