Së shpejti gati qendra “Tumo Tirana”, Veliaj: Bashkia do të mbështesë me bursa edhe fëmijët nga familje me vështirësi ekonomike

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lajmëruar se qendra “Tumo Tirana” shumë shpejt do të mirëpresë të rinj që duan të ndjekin një model të ri edukimi, ku ndërthuret arti dhe teknologjia.

Veliaj thotë se së bashku me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan po vijon puna për transformimin e Piramidës.

Ai ka lajmëruar se bashkia e Tiranës do të mbështesë me bursa edhe fëmijët që vijnë nga familje me kushte të vështira ekonomike.

“Jam i lumtur që Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan po vijojnë punën për transformimin e Piramidës, që shumë shpejt do të mirëpres të rinjtë që duan të ndjekin një model të ri edukimi, ku ndërthuret arti dhe teknologjia. Shumë inkurajues fakti që 250 të rinjtë e parë, nga mosha 12-18 vjeç, e kanë nisur mësimin në “Tumo Tirana”, e cila përkohësisht operon në Qendrën Arena”, tha Veliaj.

“Bashkia do të mbështesë me bursa edhe fëmijët që vijnë nga familje me kushte të vështira ekonomike”, u shpreh Veliaj.

Qendra ”Tumo Tirana” do të jetë shumë shpejt inkubatori i madh në rajon në fushën e teknologjisë së inovacionit, artit dhe kulturës, ku të rinjtë që do të frekuentojnë mjediset e transformuara të Piramidës do të kenë mundësi të ndjekin kurse të ndryshme në fushën e IT dhe të komunikacionit, si dizajni, programimi etj. z.tosku//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.