FOKUS – Eurodeputetët: E pamundur arritja e një marrëveshjeje postBrexit

BRUKSEL, 21 dhjetor /ATSH-AFP/ – Eurodeputetët e konsiderojnë të pamundur të ratifikojnë një marrëveshje të mundshme postBrexit, që ajo të hyjë në fuqi më 1 janar, pasi negociatorët tejkaluan dje në mesnatë afatin e caktuar.

“Lojërat politike në Westminster kanë humbur shumë kohë. Tani është e pamundur që Parlamenti të vlerësojë një marrëveshje përpara fundit të vitit. Ne nuk do të miratojmë asnjë tekst, është shumë e rëndësishme”, tha sot udhëheqësi i grupit të PPE-së, Manfred Weber në Twitter.

Një marrëveshje e arritur ”in extremis” mund të zbatohet për shembull përkohësisht më 1 janar, me një ratifikim të mëvonshëm nga Parlamenti Evropian.

Por, sipas disa burimeve evropiane, një skenar i tillë është teknikisht i mundur vetëm nëse një kompromis gjendet para Krishtlindjeve, pa të cilin një “no deal”, të paktën për disa ditë, duket i pashmangshëm.

“Në fakt do të ketë një ‘ no deal +’ teknik ose jo, por më 1 janar do të ketë një hendek të madh dhe ne duhet të përgatitemi për këtë”, paralajmëroi francezja Nathalie Loiseau e grupimit të liberalëve.

”Grupi i eurodeputetëve që po ndjekin negociatat për Parlamentin Evropian do të takohet sërish për të vlerësuar situatën dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm”, tha presidenti i tij, gjermani David McAllister (PPE).

Një marrëveshje tregtare duhet të gjendet përpara se Londra të largohet nga tregu i vetëm europian dhe bashkimi doganor më 31 dhjetor në orën 23:00 GMT.

Përndryshe, tregtia midis BE-së dhe Londrës do të kryhet sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), sinonim i detyrimeve doganore dhe kuotave, me pasoja serioze për ekonomitë tashmë të tronditura nga pandemia./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.