TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar sot në detyrë gjyqtarin e Vlorës, Florjan Kalaja.
Në seancën e zhvilluar mëngjesin e sotëm, trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Firdes Shuli, Olsi Komici vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Kalaja.
Kalaja ka rezultuar i pastër në 3 shtyllat e Vetting-ut, pasuria, pastërtia e figurës dhe integriteti profesional.
Florjan Kalaja është gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, aktualisht deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
Kalaja ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë, ndërsa aktualisht e ushtron funksionin si gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Paralelisht me punën si gjyqtar, Kalaja është angazhuar si pedagog në disa universitete si dhe është autor i botimeve në fushën e së drejtës civile.
/j.p/r.e/






















