BRUKSEL – BE: Dënojmë ashpër ekzekutimin e disidentit iranian

BRUKSEL, 12 dhjetor /ATSH-AFP/ – Bashkimi Europian dënoi sot në termat më të fortë ekzekutimin e disidentit iranian Rouhollah Zam, duke kujtuar kundërshtimin e tij ndaj dënimit me vdekje, në një deklaratë.

“BE e konsideron të domosdoshme që autoritetet iraniane të respektojnë të drejtat e të akuzuarve dhe të ndalojnë përdorimin e rrëfimeve televizive për të vërtetuar dhe provuar fajësinë e tyre”, tha Josep Borrell, sipas zëdhënëses së tij.

Ish-udhëheqësi i opozitës dhe aktivisti në protestat e viteve 2017-2018 në Iran, Ruhollah Zam jetonte në Francë, por u arrestua nga forcat iraniane të sigurisë gjatë një vizite në Irak dhe u kthye në vend në tetor 2019.

Zam, i cili drejtonte, gjithashtu, faqen opozitare të lajmeve “Amadneës”, u akuzua nga qeveria iraniane për spiunazh në përfitim dhe shërbim të Sigurimit të SHBA-së, Francës, Izraelit, me qëllim rrëzimin e Republikës Islamike.

Ekzekutimi i tij me varje u njoftua nëpërmjet televizionit shtetëror iranian, që e cilësoi atë një kundërrevolucionar, i cili u var pasi dënimi i tij u mbështet nga Gjykata e Lartë për shkak të seriozitetit të krimeve të kryera kundër Republikës Islamike të Iranit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.