“Protesta të tilla nuk kanë lidhje me qytetarët shkodranë”/ Mesi: Dhuna ka vetëm një emër PD+LSI

TIRANË, 12 dhjetor/ ATSH- A. Fortuzi/- “Jo më politika dasie në Shkodër”, dhuna ka vetëm një emër, PD+LSI”, u shpreh Sinida Mesi, ish-zv.kryeministre gjatë një interviste për një media të shkruar, duke reaguar pas ngjarjeve të dhunshme mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës.

“Qytetarët e Shkodrës duhet të distancohen nga dhuna dhe urrejtja. Jo më politika dasie në Shkodër. Nuk jam kundër protestave qytetare, të lira, të pamanipuluara, përkundrazi. Protestat janë çfarë populli mendon në një situatë të caktuar dhe qeverisja duhet të dëgjojë me vëmendje dhe të përmirësohet dhe të reagojë sikurse po reagohet për humbjen e jetës e një të riut, ku polici po përgjigjet para drejtësisë dhe Ministri i Brendshëm dha dorëheqjen”,-deklaroi Mesi.

“Shkodra i njeh mirë regjisorët e skenarëve të tillë. Janë të njëjtat struktura që përgatisin në vite sulme të prishjes së rendit, të uzurpimit të Institucioneve, kanë dhunë, plaçkitje… kjo ka vetëm një emër, PD+LSI (saktësoj pjesa destruktive e këtyre partive). PD në Shkodër që nga ‘91 e deri tani sulmon, prish, djeg dhe thyen institucionet, drejtori policie, banka, godina shtetërore dhe seli partie. Protesta të tilla nuk kanë lidhje me qytetarët shkodranë”,- shtoin ajo.

“I them këtyre protestuesve që demokracia nuk funksionon kështu. Shkodra ka një forcë të madhe, që nuk e ka shtypur askush gjatë historisë, as regjimi i egër komunist.  Shkodra ka shpirtin e lirë të çdo qytetari të saj, qytetar që zgjedhin të lirë se cilën parti politike do të mbështesin dhe ashtu pa kompromis ecin përpara për një Shkodër më të mirë dhe për një Shqipëri më të begatë”,- vijoi Mesi.

“Këtë shpirt të lirë nuk e shtyp dot as Voltana në protesta, as PD dhe as LSI…. e aq më pak e intimidoni me një godinë selie që plaçkitët”,- përfundoi ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.