Urgjenca Kombëtare, shembëlltyrë e simotrave në Europë/ Brataj: Sot ambulancat janë minispitale që udhëtojnë, qytetarët do shërbehen me çdo mënyrë


TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se “Urgjenca Kombëtare e Shqipërisë është sot një shembëlltyrë e simotrave në Europë”.

“Vetëm ta mendosh se çfarë do të kishte hequr ky popull, sikur largqoftë Armiku i Padukshëm të na kishte gjetur me autoambulancat rrangalle e me linjat fikse të telefonave të zinj të kohës së qepës, që ishin të vetmet mjete të urgjencës deri 7 vjet më parë, të rrëqethet mishi”, tha Rama.

Kryeministri shprehu respektin për ekipin fantastik të Urgjencës Kombëtare që në këtë kohë të mallkuar i gjendet pranë popullit 24 orë papushim dhe ka shpëtuar mijëra jetë, nën trysninë e dyfishtë të ofensivës së virusit vrastar e të baltës lehëse të atyre që luftojnë kundër nesh, teksa ne luftojmë me mish e me shpirt me Armikun e Padukshëm”.

ERTV ishte pranë Urgjencës Kombëtare ku ndoqi rutinën e punës dhe procedurat që ndiqen në vijimësi për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve edhe në banesë.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, theksoi se “ky është shërbimi që i ofrohet qytetarëve, duke i ofruar mundësi të ndryshme alternative për shërbimin në banesë”.

Ai siguroi se “qytetarët do të na kenë pranë në këtë moment në të gjitha format dhe mënyrat”.

“Njësia e Koordinimit u krijua enkas për këtë shërbim që po luan sot, për fatin e mirë që u mendua nga viti 2014. U plotësua sistemi në këtë mënyrë, një sistem i integruar që ka të bëjë me të gjitha hallkat e dhënies së ndihmës së parë. Sot e kësaj dite, ky është një nga sistemet e vetme në Shqipëri që në kohën zero i përgjigjet qytetarit nga çdo cep i Republikës së Shqipërisë, për kërkesën për ndihmë mjekësore. Ky sistem është i përbërë nga infermierë dhe mjekë, që janë të përzgjedhur dhe të trajnuar”, tha Brataj.

Ai theksoi se “në këtë njësi mund të përballojmë deri në 6 milionë banorë, mbi 15 mijë thirrje në ditë”.

“Me ardhjen e pandemisë, sidomos java e parë, ne kemi mbërritur edhe 12 mijë thirrje në 24 orë. Në këto shifra qëndruam nga data 12-19 mars  pastaj filloi të zbriste dhe shkonte te 5 mijë 4 mijë thirrje në 24 orë. Po të krahasojmë gjithë periudhën nga data 9 mars deri më sot, jemi 623 890 thirrje deri në këtë moment me një mesatare 2381 thirrje në ditë”, tha ai.

Brataj tha se “në këtë periudhë janë bërë 99 710 vizita në banesë, ose kemi mbi 50% rritje të vizitave në banesë”.

“127 është pika lidhëse e gjithë sektorëve të tjerë të shëndetësisë. Në kohën 0 merret informacion dhe përcillet. Janë 172 994 thirrje për korona, ose 663 në ditë, 11 514 vizita për COVID në banesë nga të cilat 5455 janë transportuar në spital, ndërsa 60 059 janë trajtuar në banesë”, tha ai.

Brataj theksoi se kur ka ardhur në krye të këtij shërbimi, fatmirësisht qeveria kishte parashikuar ligjin për Këshillin Kombëtar të Ndihmës Mjekësore, krijimin e Qendrës së Urgjencës, e cila në atë kohë shërbente e fragmentuar ose ishin operatorët mobile. “Këto telefona ishte në subjektivitetin e një personi dhe me 2-3 telefona nuk mund të përballohej fluksi”, tha ai.

Brataj theksoi se “sot kemi njësi me 90 linja telefoni, 60 hyrëse dhe 30 hyrëse-dalëse”. “Çdo operator ka 3 monitorë para ku janë si të dhënat, numrat e telefonit të mjekëve dhe ekipeve, institucioneve dhe skeda e pacientit dhe adresa”, tha ai.

Brataj shtoi se “nëse qytetari përkeqësohet merr 127 dhe ne dërgojmë ekipin që bën vizitën në shtëpi dhe vlerësimin nëse është për t’u trajtuar akoma në banesë, apo duhet të shkojë drejt spitalit”. “Ndërthuren disa herë shërbimet njëra me tjetrën, kjo përmes komunikimit me 127. Sapo pandemia filloi e dinim që personat që ne kishim ishin të përgatitur por kërkuam shtesë të personelit. U aprovua menjëherë, u bë menjëherë VKM për shtimin e personelit ku ne morëm 10 mjekë, 10 infermierë të rinj dhe 5 shoferë. Të gjithë pacientët me COVID transferohen në spitale vetëm përmes 127 për të garantuar asistencën me oksigjen dhe aparatura e personel dhe për të parandaluar përhapjen e infeksionit se po të shkojnë me mjetin e tyre do të shkojnë me dikë tjetër. Kërkuam dhe një shtesë tjetër me 10 shoferë dhe 10 infermierë ose operatorë për kthimin në banesë të pacientëve. Në total kemi 45 personel shtesë”, tha ai.

Brataj theksoi se autoambulancat kanë respiratorë dhe të gjitha aparaturat e nevojshme që të bëjnë transportimin e pacientëve.

“Ne flasim për pandemi. Deri tani janë ezauruar disa nga skenarët që bëmë që nga 31 janari. Ishin 5-6 skenarë nga të cilët deri tani jemi te skenari 3. Më kujtohet shumë mirë kur kam ardhur çfarë ambulancash kam gjetur dhe që nuk kishin asnjë aparaturë pothuajse, por sidomos sistemi i oksigjenit të ambulancës që nuk ka qenë asnjëherë në shërbim dhe një sërë pajisjesh të tjera të domosdoshme. Sot këto ambulanca janë minispitale që udhëtojnë. Më kujtohet edhe lufta atëherë nëse do viheshin 2 bombola oksigjeni, apo 1. Më vjen mirë që insistuam të ishin dy, që kanë autonomi disaorëshe deri 12 -20 orë me oksigjen. Është normale që kur hyjmë te COVID-et në Tiranë mund të rastis që vijnë nga rrethet apo pacientë që shkojnë në banesë dhe ka fluks”, tha ai.

Për sa i takon ezaurimit të kapaciteteve, Brataj shtoi se “nuk jemi akoma në atë pikë sepse jemi te COVID 3, do hapet COVID 4, do hapen spitalet rajonale”. “Kur t’i mbushim të gjitha do t’i trajtojmë edhe në ambulancë, banesë, korridore, hotele, si gjithë bota. Qytetarët do të trajtohen në çdo lloj mënyre”, tha ai.

“Çdo gjë këtu është e regjistruar. Mund të dëgjoj në këtë njësi, në këtë sistem të integruar unik telefonatat edhe pas 5 vitesh se çdo gjë është e regjistruar dhe e pamodifikueshme. Nuk e imagjinoj dot se çfarë do të ndodhet nëse nuk do të ishte krijuar ky sistem”, tha ai. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.