Ballina Flash

Konstituohet Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi sot se është konstituuar Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH).

“Së bashku me personalitete të njohura të botës akademike që kontribuojnë në Shqipëri por edhe në institucione prestigjioze europiane, konstituuam Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”, shprehet ministrja Kushi, teksa nënvizon edhe rëndësinë e këtij këshilli.

“Jam e lumtur për konkretizimin e këtij hapi, pasi KALKSH do të jetë pa diskutim një organ këshillimor shumë i rëndësishëm pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në lidhje me politikat e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, thotë ajo.

Ndër të tjera, ajo shpreh bindjen se me ekspertizën dhe eksperiencën e tyre të vyer, do të çohen akoma më përpara një sërë reformash dhe procesesh me rëndësi, si dhe do të ndihmohet në avancimin e mëtejshëm të “Paktit Për Universitetin”.

KALKSH kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ka në përbërje 12 anëtarë, të cilët janë personalitete të njohura të fushave akademike.

Ky organ këshillimor shqyrton dhe këshillon ministrin lidhur me hartimin e strategjive e të programeve kombëtare për arsimin e lartë e kërkimin shkencor, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore; fushat parësore dhe programet e kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik; zhvillimin e politikave të veçanta dhe mënyrat e financimit të tyre etj. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Gjermania do të marrë 180 miliardë euro borxhe në 2021
Artikulli tjetërKualifikueset e Botërorit “Katar 2022”/ Shqipëria në vazon 4 për shortin e 7 dhjetorit