TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se në muajin dhjetor në vendin tonë do të fillojë aplikimi i testimit të shpejtë duke forcuar kështu kapacitetet aktuale.
Në një komunikim online ministrja Manastirliu tha se “prej mëse 9 muajsh, i gjithë sistemi ynë shëndetësor është në gatishmëri të plotë në përballje me këtë virus që po sfidon mbarë botën. Ne po vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor duke filluar nga përmirësimi i testimit dhe gjurmimit, dhe përfshirja e testeve të shpejta brenda dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit”.
“Bazuar në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi siguruar vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe sot ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash. Si pjesë e planit tonë ka filluar rimbursimi i paketës së barnave falas të çdo qytetari të diagnostikuar me Covid-19. Spitali Covid 4 dhe spitalet rajonale janë gati për t’u shërbyer pacientëve sipas skenareve në strategjinë e vjeshtë-dimrit”, nënvizoi Manastirliu duke shtuar se për t’iu përgjigjur nevojave dhe për të mbështetur stafet mjekësore janë punësuar deri tani 270 profesionistë të shëndetit.
Ministrja falënderoi ekipet mjekësore në të katër anët e Shqipërisë për punën, sakrificën edhe përkushtimin që kanë treguar në këto kohë sfiduese.
“Bazuar në përcaktimet e udhëzimeve të OBSH dhe analizën mbi baza dinamike të Institutit të Shëndetit Publik, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar. Ekspertët e shëndetit publik në ISHP vlerësojnë se impakti i masave që kemi marrë deri më sot, vlerësohet në hapësirën kohore 4-6 javë nga momenti i fillimit të zbatimit. Por, që të kenë efekt duhet që çdo masë të zbatohet nga të gjithë me përpikmëri e përgjegjësi”, – tha Manastirliu.
Sipas saj, në këto 9 muaj, shumë mësime janë nxjerrë kudo në botë, nga kjo pandemi.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “një prej tyre mbetet i pandryshueshëm: Masat në mbrojtje të jetës kanë efekt, vetëm në qoftë se gjithë secili prej jush merr përgjegjësitë e veta. Në këtë pandemi, çdo veprim i pakujdesshëm ka pasoja të drejtpërdrejta mbi shëndetin tuaj, dhe shëndetin e të afërmve. Përpara kemi një dimër të vështirë, por sot shpresa që të dalim të fituar nga kjo luftë, janë më të mëdha se kurrë më parë”.
“Ne po vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor duke filluar nga përmirësimi i testimit dhe gjurmimit, dhe përfshirja e testeve të shpejta brenda dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit”, tha Manastirliu./k.s/r.e/












