MALAJZI – A do të jetë i pranishëm Trump në samitin e APEC-ut?

BANGKOK, 20 nëntor /ATSH-DPA/ – Ndërsa Samiti i Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) fillon sot, pyetja e madhe është nëse presidenti aktual i SHBA, Donald Trump do të marrë apo jo pjesë në këtë samit, përmes internetit.

Duke cituar burime amerikane, media malajziane thotë se Trump do të marrë pjesë.

”Trump planifikon të marrë pjesë në diskutime”, theksoi një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane.

Ndërkohë, bëhet e ditur se ai do të marrë pjesë edhe në takimin virtual të drejtuesve të biznesit të APEC-ut.

Nëse sfidat e tij ligjore për rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale të SHBA dështojnë, samiti mund të jetë shansi i fundit i Trump për të shtyrë presidentin kinez Xi Jinping të pranojë fajin për çështjen Covid-19.

Trump ka fajësuar Pekinin për atë që ai e ka quajtur vazhdimisht “virusi kinez”, i cili sipas të dhënave zyrtare ka infektuar 11,5 milionë amerikanë dhe ka çuar në më shumë se 250 000 vdekje.

Trump për herë të fundit mori pjesë në një samit të APEC-ut në 2017, afër fundit të vitit të tij të parë në detyrë.

SHBA u përfaqësua në samitet e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) fundjavën e kaluar nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien/ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.