UASHINGTON – SHBA lejon fluturimet e avionit Boeing 737 MAX

UASHINGTON, 19 nëntor /ATSH-AA/- Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) tha se do të lejojë avionët e tipit Boeing 737 MAX për të fluturuar pas pezullimit 20-mujor si pasojë e dy aksidenteve fatale.
Rregullatori do të lejojë që avioni të kthehet në shërbimin komercial me kushte të caktuara.

FAA kërkoi ​​ndryshime të dizajnit që duhet të bëhen para se të rifillojë shërbimi dhe publikoi ​​një listë të njoftimeve dhe kërkesave të trajnimit.

“Dizajni dhe certifikimi i këtij aeroplani përfshin një nivel pa precedent të rishikimeve bashkëpunuese dhe të pavarura nga autoritetet e aviacionit në gjithë botën”, thuhet në deklaratën e FAA-së.

“Ata rregullatorë kanë treguar që ndryshimet e dizajnit të Boeing-ut, së bashku me ndryshimet në procedurat e ekuipazhit dhe përmirësimet e trajnimit, do t’u japin atyre besimin për ta vërtetuar avionin si të sigurt për të fluturuar në vendet dhe rajonet e tyre përkatëse”, theksohet më tej.

FAA tha se do të vazhdojë të punojë ngushtë me administratat e huaja të aviacionit civil për të vlerësuar më tej avionin 737 MAX.

Një prej avionëve u rrëzua më 29 tetor 2018 në Detin Java në Indonezi, duke lënë të vdekur të gjithë 189 pasagjerët dhe ekuipazhin, ndërsa një tjetër aksident më 10 mars 2019 në Etiopi vrau 157 njerëz.

Pas aksidentit të Etiopisë, të gjithë aeroplanët 737 MAX u pezulluan në gjithë botën. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.