Rritje e incidencës me COVID-19 për 100 mijë banorë/ Manastirliu: Mortalitet më i ulët sesa mesatarja e vendeve të rajonit

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha sot se aktualisht kemi të konfirmuara me diagnozën COVID-19 në total 29 837 raste, duke prodhuar një incidencë prej fillimit 1042 raste për 100 mijë banorë, incidencë më e ulët se masatarja e rajonit dhe e Europës.

Në një konferencë për mediet, ministrja Manastirliu tha se “shtimi i rastete te konfirmuara ka shkaktuar rritje të mesatares javore të rasteve prej  429 raste në javën e 45 të pandemisë në 518 raste në javën e 46 të pandemisë. Prej rasteve të konfirmuara në javën e 46, 52% e këtyre rasteve të prekura me COVID-19 janë femra dhe 48% meshkuj”.

“Me rritjen e rasteve të konfirmuar vihet re dhe një rritje e lehtë e rasteve aktive duke i çuar 14 975 raste, apo 526 raste për 100 mijë banorë. Sa i përket fataliteteve kemi 646 humbje jete që i korrespondojnë 22.7 fatalitete për 100 mijë banorë, mortalitet më i ulët sesa mesatarja e vendeve të rajonit për 100 mijë banorë. Vlerësohet se java e 46, java ku kemi patur edhe një numër të lartë fatalitetesh që i përket grupmoshave 65-74 dhe mbi 75 vjeç që përbëjnë edhe 69% të fataliteteve në javë”, – nënvizoi Manastirliu.

Sa i përket situatës në spitale, Manstirliu tha se “në të tre spitalet e dedikuara për trajtimin e rasteve COVID, aktualisht kemi të zëna 420 shtretër, pra rreth 15-20% është dinamika e shtretërve të lirë, ndërkohë që spitali Covid 4 është gati në momentin që ne do kemi zënie të shtretërve në tre strukturat e para”.

Ministrja e Shëndetësisë ka bërë një përmbledhje të masave të marra që prej fillimit të epidmeisë duke theksuar se është punuar në bazë të 3 dokumenteve të përgatitura nga Komiteti Teknik i ekspertëve mbështetur edhe në ekspertizë ndërkombëtare.

“Kemi ndërmarrë 13 masat përgjatë gjithë kësaj periudhe 9-mujore. Në mars me vendosjen e masave të izolimit, u kufizua përhapja e infeksionit falë masave që u morën shumë shpejt. Në prill vendosëm një sërë lehtësimesh. Në 1 qershor hapja e madhe, më tej në 15 korrik maska e detyrueshme në ambientet e hapura. Në 20 korrik, mbyllen klubet e natës dhe diskot. Në 21 gusht masat anticovid për strukturat arsimore. Në 14 shtator janë hapur shkollat ku janë vendosur të gjitha protokollet e sigurisë. Në 15 tetor kemi vendosur maskën me detyrim në cdo ambient. Në 11 nëtor janë kufizuar lëvizjet e qytetarëve dhe po ashtu baret restorantet kanë kufizuar aktivitetin e tyre dhe administrata ka vijuar punën nga shtëpia. Në datën17 nëntor, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur ndalimin grumbullimeve me më shumë se 10 persona, ndalimin e mbledhjeve partiake dhe tubimeve, konferencave, ceremonive e festave, ceremonive martesore dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”, – tha Manastirliu.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.