GJENEVË – Klima shkaktare e 83 % të katastrofave në dekadën e fundit

GJENEVË, 18 nëntor /ATSH-AA/- Veprimet globale për të trajtuar ndryshimet klimatike aktualisht nuk po arrijnë të mbrojnë njerëzit që janë më në rrezik, deklaroi Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në një raport, duke theksuar se gjatë dekadës së kaluar, 83 % e katastrofave ishin shkaktuar nga moti ekstrem dhe ngjarjet e lidhura me klimën.

Një raport nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq tregon se vendet më të prekura nga katastrofat e lidhura me klimën marrin vetëm një pjesë të fondeve në dispozicion për adaptimin e ndryshimeve klimatike.

“Gjatë dekadës së kaluar, 83 % e të gjitha fatkeqësive u shkaktuan nga moti ekstrem dhe ngjarjet e lidhura me klimën si përmbytjet, stuhitë dhe valët e nxehtësisë”, thuhet në raport.

‘’Së bashku, këto katastrofa morën më shumë se 410 mijë jetë njerëzish dhe prekën një numër marramendës prej 1,7 miliardë persona, duke luftuar kështu për të mbrojtur njerëzit nga efektet rënduese të ndryshimeve klimatike’’, shtohet më tej.

“Ndryshimet klimatike nuk janë për të ardhmen. Sigurisht, gjërat mund të përkeqësohen në të ardhmen, por kjo tashmë ka ndodhur. Dhe ne mund ta shohim këtë nga statistikat. Ne po e përjetojmë këtë pothuajse çdo ditë”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i IFRC-së, Jagan Chapagain në një konferencë virtuale për media të OKB-së.

“Përgjegjësia jonë e parë është të mbrojmë komunitetet që janë më të ekspozuarat dhe më të prekshmet ndaj rreziqeve klimatike”, theksoi Chapagain.   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.