Implementimi i teknologjisë në zgjedhje/ 6 kompani i përgjigjen kërkesës së KQZ

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ 6 kompani i janë përgjigjur kërkesës së KQZ për vlerësimin mbi kostot e përdorimit të sistemit dhe pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në procesin e përllogaritjes së vlerës financiare së pritshme të kontratës për implementimin e Sistemit Elektronik të Identifikimit të Votuesve dhe Pajisjeve Elektronike të Identifikimit, që do të përdoren në zgjedhjet e datës 25 Prill 2021.

“Me qëllim rritjen e numrit të kompanive të përfshira në procesin e marrjes së treguesve ekonomikë, kërkesa e KQZ-së për vlerësimin mbi kostot e përdorimit të sistemit dhe pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve, nga 20 ju dërgua edhe 2 komanive të tjera duke e çuar numrin në 22 kompani”, njoftoi sot KQZ.

KQZ thekson se “nga këto 22 kompani, kërkesës i janë përgjigjur 6 prej tyre:

  1. CGTS, me kosto projekti 28.250.000$
  2. TCN, me kosto projekti 14.831.126€ dhe 17.430.764€
  3. CIELA, me kosto projekti 24.540.275€
  4. DERMAOLOG IDENTIFICATION SYSTEM GmbH, me kosto projekti 12.770.404€
  5. SMARTMATIC WORLDËIDE HEADQUARTERS, me kosto projekti 20.723.000$
  6. THALES GROUP, me kosto projekti 15.500.000€”.

KQZ thekson se, “në përfundim të afateve të njoftuara, me administrimin e informacionit dhe të dhënave të dërguara nga kompanitë të cilat i janë përgjigjur kërkesës së KQZ, do të përcaktojë buxhetin për projektin e identifikimit elektronik të votuesve, si dhe do të hartojë dokumentacionin e tenderit mbi të cilin do të fillojnë procedurat e prokurimit”.

Ndërkohë, KQZ njofton se, “i është drejtuar 6 kompanive me eksperiencë ndërkombëtare që operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe/ose me përvojë në proceset zgjedhore, për të prezantuar një vlerësim mbi kostot e implementimit të Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Votimit dhe Rezultateve (SEMVR) dhe Pajisjeve Elektronike të Votimit dhe Numërimit (PEVN) që do të përdoren në zgjedhjet e datës 25 prill 2021”.

Kërkesa e KQZ-së i është drejtuar kompanive:

  1. SMARTMATIC WORLDWIDE HEADQUARTERS, https://www.smartmatic.com/
  2. SCYTL, https://www.scytl.com/
  3. CGTS, www.cgtscorp.com
  4. CIELA NORMA, www.ciela.net
  5. CYBERNETICA AS, https://cyber.ee/
  6. ELECTION SYSTEM & SOFTWARE, https://www.essvote.com/contact/

“Me qëllim nisjen e procedurës së prokurimit për pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve, dhe  për përllogaritjen e vlerës së kontratës sipas çmimeve të tregut, KQZ i ka kërkuar kompanive të sipërcituara, listën e kostove bazuar mbi llojin dhe karakteristikat teknike të sistemeve të pajisjeve për votimin dhe numërimin elektroni, të përcaktuara me Vendimin nr. 04, datë 13.11.2020 të Komisionit Rregullator “Për llojin dhe karakteristikat teknike që duhet të plotësojnë sistemet dhe pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik që prokurohen dhe përdoren në zgjedhje në Republikën e Shqipërisë”, përfundon njoftimi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.