Ballina Ekonomi

Reforma në drejtësi/ 7.5 miliardë lekë në projektbuxhetin 2021

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Projektbuxheti 2021 ofron një financim të plotë për institucionet e ngritura të Sistemit të Drejtësisë, ku në total shkon në 7.5 miliardë lekë ose 0.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi para deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektbuxhetin e vitit 2021.

Ajo bëri një paraqitje të plotë të shtyllave të këtij dokumenti të rëndësishëm, duke e vënë theksin te aspekte si, mbështetja financiare për vijueshmërinë e Reformës në Drejtësi, rritjen e fondeve dedikuar për pushtetin vendor apo edhe për sektorët prioritarë, si shëndetësia, arsimi, bujqësia etj.

“Buxheti i këtyre institucioneve në total në vitin 2020 është rritur me rreth 4.4 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2016, vit në të cilin filloi Reforma në Drejtësi, nëpërmjet miratimit të paketës ligjore”, tha ministrja Denaj.

Ministrja gjithashtu shtoi se Reforma në Drejtësi krahas rritjes së fondeve buxhetore është shoqëruar edhe me një rritje të vijueshme të burimeve njerëzore, ku personeli i shtuar i institucioneve rezulton me 668 punonjës gjithsej.

“Qeveria është tejet e vendosur që Reforma në Drejtësi të financohet brenda standardeve të kërkuara, pasi është një kusht i domosdoshëm për të pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe mirëqenie sociale për vendin”, u shpreh Denaj./a.gjonaj/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHidhet shorti për kalendarin e Kategorisë Superiore U-21
Artikulli tjetërPD: 1 vit pas tërmetit, janë ndërtuar 48 shtëpi nga 3389 të dëmtuara