TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Komisioni i Përzgjedhjes i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka përfunduar procesin e testit për aftësitë fizike dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit.
Janë 103 kandidatë që kanë kaluar këtë fazë dhe në fazën tjetër do t’i nënshtrohen testit të esesë me shkrim.
Testi i esesë do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve më datë 26 tetor.
Testi i esesë me shkrim zhvillohet për të demonstruar nivelin e aftësive në shkrim dhe këndim, përdorimin e MS Word, arsyetimin logjik dhe aftësinë për të artikuluar idetë me shkrim.
Testimi i Aftësive Fizike u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.
Kandidatët në testin me shkrim do të jenë të pajisur me maska për sigurinë shëndetësore të tyre, ndaj pasojave të infeksionit COVID-19.
Përmbyllja e fazave testuese do të nxjerrë 60 kandidatë fitues që do t’i bashkohen Byrosë Kombëtare të Hetimit pas trajnimit në Akademinë e FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Punonjësit e BKH-së supervizohen dhe operojnë vetëm nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorëve të Posaçëm të Prokurorisë së Posaçme.
/a.a//r.e/























