Ballina Aktualitet

Vizita e kryediplomatit grek në Tiranë/ PDIU protestë para Ministrisë së Jashtme

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi sot një protestë para Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme lidhur me vizitën në Tiranë të kryediplomatit grek, Nikos Dendias.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se qëllimi i protestës është t’i tregohej ministrit grek se duhet të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë.

“Shqipëria nuk ka 12 milje për t’ia dhënë Greqisë, nuk mund ta injorojnë genocidin e Çamërisë”, u shpreh Idrizi.

Ai tha se “tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë sigurisht që dhemb sepse Shqipëria që kemi sot, është për shkak të sakrifikimit të Kosovës dhe Çamërisë. Do të vazhdojmë të protestojmë,  nuk mund të lejojmë të vijojë deviza e Serbisë dhe Greqisë, që “çka është e tyre është e tyre, çka është e Shqipërisë është e diskutueshme”.

Idrizi tha se “Shqipëria me Greqinë ka për të biseduar vetëm për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike. Jo për ujërat territoriale dhe ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.

“Çështjet kombëtare, heqja e ligjit të luftës, çështja çame, çështja e detit dhe shumë lëshime që kemi bërë për varrezat, për cencusin, për ligjin për toponimet, zgjidhen dhe do të marrin zgjidhje vetëm kur shteti shqiptar t’i trajtojë me dinjitet, me reciprocitet edhe me dije”, tha ai.

Më pas protestuesit e PDIU-së u zhvendosën nga MEPJ-ja drejt Kryeministrisë aty ku ministri grek pritet të zhvillojë një takim edhe me Kryeministrin Rama. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKANADA – Kalohet pragu i 200 000 rasteve me Covid-19
Artikulli tjetërLufta kundёr krimit tё organizuar dhe korrupsionit/ Tatimet, marrëveshje me BKH për shkёmbimin e informacionit