BRUKSEL, 15 tetor /ATSH-AFP/ – Drejtuesit e Bashkimit Europian janë të vendosur të shfaqin vendosmërinë gjatë një samiti për marrëdhënien post-Brexit, pavarësisht presionit të britanikut, Boris Johnson, i cili lë të hapur kërcënimin për një ndërprerje të negociatave.
Kryeministri i Britanisë së Madhe u takua dje në mbrëmje me presidentët e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe të Këshillit Europian, Charles Michel, një shkëmbim gjatë të cilit tre drejtuesit kanë konstatuar vetëm mungesën e progreseve në diskutimet e nisura që prej disa muajsh.
“Bashkimi Europian po punon për një marrëveshje, por jo me çdo kusht”, theksoi në një mesazh në Twitter, Ursula von der Leyen pas këtij takimi prej 10 minutash.
“Mbetet akoma shumë punë për t’u bërë”, shtoi ajo dhe Charles Michel kërkoi avancime.
“Boris Johnson vuri në dukje dëshirën e një marrëveshjeje, por shprehu zhgënjimin që nuk ishte bërë më shumë përparim”, theksuan shërbimet e tij në një deklaratë.
“Ai deklaroi se po priste me padurim rezultatet e samitit europian, planifikuar për dy ditë, – para se të prezantojë hapat e ardhshëm për Britaninë e Madhe, në kuadër të deklaratës së tij të 7 shtatorit”, sipas të njëjti burim./ /ec/












