RIGA, 13 tetor /ATSH-DPA/ – Letonia do të forcojë masat e saj kufizuese në jetën publike, në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e COVID-19, ndërsa vendi po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve, tha sot kryeministri i vendit, Krisjanis Karins.
“Ose ne thyejmë zinxhirët transmetues të COVID-19 ose COVID-19 do të na thyejë ne”, tha Karins, duke theksuar se javët e ardhshme do të ishin vendimtare në luftën kundër virusit.
“Maskat do të kërkohen nga e mërkura në të gjitha vendet publike, përfshirë në dyqane, institucionet kulturore, kisha dhe në qendrat e transportit”, shtoi ai.
Më parë, maskat mbrojtëse kërkoheshin vetëm në transportin publik.
Gjithashtu, pjesëmarrja në ngjarje private në mjedise të mbyllura, nga e shtuna do të kufizohet në jo më shumë se 30 persona, ndërsa kufiri për ngjarjet në natyrë do të vendoset në 300.
Baret, restorantet dhe kafenetë do të mbyllen në mesnatë, me jo më shumë se katër persona të lejuar të ulen në një tryezë./ /ervo/






















