BERLIN – Shtetrrethim për parandalimin e përhapjes së COVID-19

BERLIN, 10 tetor /ATSH-AFP/ – Qyteti i Berlinit vendosi duke nisur nga sot mbylljen e bareve dhe restoranteve nga ora 23:00 deri në orën 06:00 për të parandaluar rritjen shqetësuese të infektimeve me COVID-19. 

Qyteti i Frankfurtit ka marrë një masë të ngjashme, që hyri në fuqi dje në mbrëmje, me mbylljen e bareve dhe restoranteve dhe ndalimin e shitjes së alkoolit nga ora 22:00 deri në orën 06:00.

Në Berlin, ky shtetrrethim, që përfshin të gjitha dyqanet përveç farmacive dhe stacioneve të shërbimit, do të vendoset deri më 31 tetor.

“Nuk është koha për të festuar”, theksoi kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Michael Muller, për të justifikuar këtë masë.

“Ne mundemi dhe duam të parandalojmë një tjetër kufizim më të rëndë”, shtoi ai, duke iu drejtuar veçanërisht grupmoshës midis 20 dhe 40 vjeç.

Tani e tutje, mes orës 23:00 dhe 06:00, tubimet në natyrë nuk duhet të kalojnë pesë persona.

Këto kufizime janë edhe më të forta për tubimet në ambiente të mbyllura, ku, gjatë gjithë ditës, maksimumi 10 persona mund të takohen në vend të 25 të parashikuar deri tani.

Situata epidemike është shqetësuese në kryeqytet, me një përqindje incidence më të lartë se 50 që prej disa ditësh (më shumë se 50 infektime të reja për 100 000 banorë) dhe më shumë se 400 raste të reja ditote, që e klasifikojnë tashmë Berlinin në zonat me rrezik./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.