Ballina Ekonomi

95% e shërbimeve publike për qytetarët online

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se, në fund të këtij viti 95% e shërbimeve publike për qytetarët do të jenë online.

Duke folur në Asamblenë e PS, Rama tha se, “faktet tregojnë që sot ne u kursejmë shqiptarëve miliona vajtje-ardhje në zyrat e shtetit. Pa diskutim që nëpër zyrat e shtetit sot, aty ku njerëzit marrin shërbimet vazhdon të ketë padrejtësi, nuk diskutohet. Po të mos kishte fare ne do të ishim magjistarë, se do të kishim ngritur në një kohë kaq të shkurtër, një administratë europiane, si ato që i kanë vendet e tjera të ngritura me dekada, madje dhe me shekuj”.

“Ajo që ne kemi avantazh, siç e kanë të gjithë vendet që sot janë më mbrapa, është teknologjia. Dhe janë miliona vajtje-ardhje që i kemi kursyer ne njerëzve për të marrë një shërbim. Shërbime që i marrin sot nga telefoni ose kompjuteri më i afërt. Në fund të këtij viti do të jenë 95% e shërbime publike për qytetarët do të jenë online. Patjetër që në të gjithë vajtje-ardhjet që vazhdojnë ka vuajtje, ka tortura, ka zvarritje, ama duke parë me nga u nisëm, unë nuk mendoj që ka një krahasim të mundshëm. Dhe duke parë se ku kemi arritur unë nuk mendoj se ka një zgjedhje tjetër të mundshme përveç PS”, – theksoi Rama.

“Përfytyroni sikur, larg qoftë, tërmeti të kishte rënë para 7 vitesh, COVID të kishte ardhur para 7 vjetësh, ose kur ranë dhe na erdhën të na kishin gjetur siç ishim para 7 vjetësh. Parafytyroni vetëm një moment sikur në kohën kur ne duhet të bënim mbylljen e përgjithshme të mos e kishim produktin më domethënës të revolucionit dixhital e-Albania. Si do i merrnin njerëzit lejet për të vazhduar aktivitetin e tyre apo për aktivitetin jetik të domosdoshëm? Do shkonin nëpër radha të merrnin COVID-in dhe t’ia jepnin njëri-tjetrit. Ky është një shembull shumë i thjeshtë, por mendoj që është shumë domethënës”, – u shpreh Rama.

/gj.mima//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDepozitat bankare në euro zënë 90% të totalit të depozitave në valutë
Artikulli tjetërHapet Dhoma Ekonomike e Gruas/ 30% e sipërmarrjeve sot drejtohen nga gratë